Me moton “E zonja e vetes”, nisi fushata globale “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, me thirrje për mbrojtjen e grave dhe vajzave dhe për përfshirjen e institucioneve dhe shoqërisë në luftën kundër dhunës gjatë gjithë vitit. Fushata e këtij viti vë theks të veçantë te dhuna ekonomike, si një formë shpesh e padukshme e abuzimit, ndërsa kërkon zbatimin e ligjeve, reagim të shpejtë ndaj denoncimeve dhe më shumë shërbime mbështetëse për viktimat.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, theksoi se dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe se institucionet duhet t’i mbrojnë viktimat dhe t’i mbajnë përgjegjës kryerësit. Fushata do të zgjasë deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, sot në Shkup, në orën 17:00, do të mbahet edhe marsh protestues kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave, nga parku “Gruaja Luftëtare” deri te Ministria e Punëve të Brendshme.


