Në Galerinë e Arteve në Tetovë u hap ekspozita „Lindja e formës“ e piktorit tetovar Kasam Kasami

Mbrëmë, në hapësirat ekspozuese të I.N.Galeria e Arteve – Tetovë, u hap ekspozita personale „Lindja e formës“ e piktorit tetovar Kasam Kasami, një prezantim artistik që përmes një cikli pikturash sjell para publikut një botë të veçantë krijuese, ku ngjyrat, format dhe përjetimet shpirtërore ndërthuren në një gjuhë autentike shprehëse.

Përmes veprave të ekspozuara, Kasami e fton shikuesin të hyjë në universin e tij krijues, ku realiteti nuk riprodhohet thjesht, por rikrijohet përmes një përfytyrimi mistik, ngjyrave të ndezura dhe formave që shpalosen në një proces të vazhdueshëm transformimi. Kështu, pikturat shndërrohen në hapësira të ndjesive, kujtimeve dhe imagjinatës, duke krijuar një dialog të veçantë mes artistit, veprës dhe publikut.

Hapjen e ekspozitës e përshëndeti U.D. drejtoresha e Galerisë, Arbenita Meta e cila shprehu kënaqësinë dhe nderin që institucioni mirëpret ekspozitën e parë personale të Kasam Kasamit. Në fjalën e saj, Meta theksoi se përmes kësaj ekspozite artisti i fton vizitorët të zbulojnë botën e tij krijuese, ku ngjyrat dhe format bëhen shprehje të ndjenjave, kujtimeve dhe imagjinatës, duke i çuar përtej asaj që është e dukshme dhe duke i nxitur të ndalen, të përjetojnë dhe të reflektojnë.

Meta nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë artistike dhe promovimin e artistëve, duke theksuar se ekspozita është pjesë e programit vjetor të Galerisë dhe realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

„Galeria e Arteve në Tetovë do të vazhdojë të mbështesë artistët dhe të krijojë mundësi për promovimin e artit dhe kulturës“, theksoi Meta, duke përgëzuar Kasamin për këtë prezantim të rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues dhe duke falënderuar Ministrinë për mbështetjen, si dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.

Një dimension të veçantë ekspozitës i jep edhe qasja kuratoriale e Muhamed Adilit, i cili në tekstin shoqërues e trajton këtë cikël pikturash si një udhëtim të thellë në peizazhet e brendshme dhe shpirtërore të njeriut. Sipas tij, Kasami nuk synon të riprodhojë botën, por ta rikrijojë atë përmes një ndjeshmërie të veçantë artistike dhe një përfytyrimi mistik.

Duke vënë në pah ndërthurjen e ngjyrave të ndezura, kontureve të lëvizshme dhe formave që duket se lindin nga thellësia e ndërgjegjes, Adili i konsideron veprat si një poezi vizuale që nuk kërkon domosdoshmërisht shpjegim logjik, por përjetim dhe interpretim individual.

Artisti Kasam Kasami falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe Galerinë e Arteve – Tetovë për bashkëpunimin dhe mundësinë e realizimit të kësaj ekspozite.

Me ekspozitën „Lindja e formës“, Galeria e Arteve – Tetovë vazhdon drejt përfundit të realizimit të programit të saj vjetor, duke krijuar hapësirë për prezantimin e artistëve dhe afirmimin e vlerave bashkëkohore të artit pamor.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 30 nëntor 2026.