Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, mori pjesë në forumin e parë kombëtar „Komunat për shëndet”, me të cilin u shënua fillimi i platformës kombëtare për përfshirjen sistematike të vetëqeverisjes lokale në avancimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe mirëqenien e popullatës.
Mesazhi kryesor i forumit është se shëndeti nuk krijohet vetëm në sistemin shëndetësor. Ai formësohet edhe përmes kushteve në të cilat njerëzit jetojnë, mësojnë, punojnë dhe lëvizin. Vendimet e komunave në fushën e arsimit, planifikimit urbanistik, hapësirave publike, mjedisit jetësor, mbrojtjes sociale dhe zhvillimit lokal mund të krijojnë më shumë mundësi për një jetë të shëndetshme dhe të kontribuojnë në zvogëlimin e pabarazive shëndetësore.
-Gjatë diskutimit në panel me kryetarët e komunave të Karposhit, Manastirit, Kisella Vodës, Kriva Pallankës dhe Kumanovës, theksova fushat në të cilat bashkëpunimi me komunat është i domosdoshëm, siç janë: shëndeti i fëmijëve dhe të rinjve, kontrolli i pirjes së duhanit, ethet e Nilit Perëndimor, sigurimi i ujit të pastër dhe të pijshëm, si dhe tema të tjera aktuale.Ky është një bashkëpunim horizontal, me më shumë palë përgjegjëse. Prandaj, na nevojiten protokolle operative. Këshillat për shëndet publik janë vendi ku ndërthuren këto çështje. Në forum u prezantuan shumë praktika të mira dhe masa të suksesshme,theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Në hapje të forumit fjalë rasti mbajtën edhe zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Erxhan Selimi, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dr. Akim Ali, si dhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Marija Andonovska. Përmes një video-mesazhi mori pjesë edhe Kris Braun, drejtoreshë e Zyrës së OBSH-së për Investime në Shëndet dhe Zhvillim në Venecia.
Investimi në shëndet dhe parandalim është njëkohësisht investim në zhvillimin lokal dhe mirëqenien e qytetarëve. Për komunat, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht programe të reja apo burime shtesë, por shfrytëzim më të mirë të politikave dhe investimeve ekzistuese për krijimin e komuniteteve më të shëndetshme, më rezistente dhe më të begata,deklaroi dr. Akim Ali, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend.
Në kuadër të forumit u shqyrtuan përvojat praktike të komunave në avancimin e shëndetit dhe mirëqenies mendore në shkolla, si dhe në parandalimin e përdorimit të duhanit dhe ofrimin e mbështetjes për lënien e duhanpirjes.Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si komunat, qendrat e shëndetit publik, kujdesi shëndetësor parësor, shkollat, shërbimet sociale dhe komunitetet mund të bashkëpunojnë për përcaktimin e prioriteteve lokale, planifikimin e aktiviteteve dhe ndjekjen e rezultateve.
Investimi në shëndet dhe mirëqenie është njëkohësisht investim në zhvillimin lokal. Parandalimi i sëmundjeve, mbështetja për zgjedhje dhe mjedise të shëndetshme jetese, si dhe zvogëlimi i pabarazive, mund të kontribuojnë në krijimin e komuniteteve më rezistente, më të lidhura nga aspekti social dhe më të qëndrueshme.
„Komunat për shëndet” është konceptuar si një platformë për shkëmbimin e njohurive, mësimin e ndërsjellë dhe ndërtimin e partneriteteve. Gjatë vitit të ardhshëm janë paraparë edhe dy forume të tjera, me qëllim vazhdimin e dialogut, mbështetjen e aktiviteteve të përshtatura sipas nevojave lokale dhe zgjerimin e zbatimit të përvojave të suksesshme edhe në komunat e tjera.


