Irani tha sot se do të përdorë të gjitha kapacitetet në dispozicion për t’iu kundërvënë bllokadës detare dhe sanksioneve amerikane ndërsa konflikti mes Teheranit dhe Washingtonit vazhdon të përshkallëzohet, transmeton Anadolu.
“Teherani do të nisë zbatimin e masave në përputhje me vendimet e marra lidhur me këtë çështje”, tha ai pa dhënë hollësi të mëtejshme. Baqaei tha se siguria në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë mund të rikthehet sa më shpejt nëse SHBA-ja i përmbush zotimet e saj.
“Kushtet e Iranit janë të drejtat e tij: heqja e bllokadës detare dhe e sanksioneve si dhe zbatimi i dispozitave të përfshira në memorandumin e mirëkuptimit”, tha ai.
Duke komentuar samitin trepalësh të javës së kaluar mes udhëheqësve të Rusisë, SHBA-së dhe Kinës, në qytetin kinez Shenzhen, Baqaei theksoi se vendimet që kanë të bëjnë me Iranin nuk do të merren jashtë vendit.
“Asnjë vendim lidhur me Iranin nuk do të merret askund jashtë Teheranit”, tha ai.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke bërë që Teherani të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe ndaj atyre që i cilësoi si objekte ushtarake amerikane në vendet arabe.
Washingtoni dhe Teherani nënshkruan memorandum mirëkuptimi në qershor dhe nisën negociatat, por bisedimet ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për furnizimin global me energji dhe tregtinë ndërkombëtare.


