Mashtroi qytetarët se vuante nga leukemia, familjarët e Endrit Azemit mblodhën para edhe në sheshin e Gjilanit

Detaje të reja kanë dal në sipërfaqe pas arrestimit të një personi në Gjilan, nën dyshimet se ai ka mashtruar qytetarët duke u kërkuar para, me pretendimet se vuan nga sëmundja e leukemisë.

Si pasojë e këtij veprimi, sipas organeve të hetuesisë, ai ka arritur të mbledhë mbi 189 mijë euro përmes donacioneve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Endrit Azemi, dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, duke pretenduar se ishte i prekur nga kjo sëmundje, ndonëse verifikimet e historisë së tij kishin treguar se nuk vuante nga leukemia akute.

Rasti ka të bëjë me një fushatë humanitare për mbledhjen e donacioneve, përmes platformës “GoFundMe”, por edhe me mbledhjen e parave të gatshme nga qytetarët në sheshin e Gjilanit.

Madje, motra e tij, kishte bërë thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar nga qytetarët që të kontribuonin me aq sa kishin mundësi.

Prokuroria ka bërë të ditur se, pas marrjes së informacioneve për rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara.

I dyshuari ishte vendosur në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Gjilan.