VLEN: Nga Qafë Thana në Manastir, 22 Nëntori që do të mbahet mend

 22 Nëntori i këtij viti do të mbahet mend gjatë. Në Ditën e Alfabetit, shqiptarët nga Shkupi, Prishtina dhe Tirana u bashkuan në Manastir. Në të njëjtën ditë, kufiri mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u bë më i lehtë për t’u kaluar se kurrë më parë.
Dita nisi në Qafë Thanë. Atje, në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, udhëheqësia e VLEN-it dhe përfaqësuesit e tij në Qeveri përuruan pikën e përbashkët kufitare “One Stop Shop”. Me këtë sistem, kontrolli kufitar kryhet në një vend të vetëm, me një ndalesë. Pas Kosovës, me VLEN-in në qeverisje, ky model po zbatohet edhe me Shqipërinë. Marrëveshja përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht-Trebisht.
Në po këtë pikë kufitare, para njëzet vjetësh u desh këmbëngulje që shtatorja e Skënderbeut të hynte në vend dhe të vendosej në Shkup. Sot, në të njëjtin vend, dy shtetet zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson kalimin qytetarëve. Ajo që atëherë dukej e pamundur, sot është e natyrshme.
Në Manastir, udhëheqësia e VLEN-it zhvilloi një takim me kryeministrin Rama. Në takim u bisedua për lidhjet e ndërtuara ndër vite dhe për hapat e radhës, që bashkëpunimi mes dy vendeve të ndihet më shumë në jetën e qytetarëve. Përfaqësuesit e VLEN-it vizituan Shtëpinë e Alfabetit dhe morën pjesë në manifestimin ku u nderuan ata që i lanë shqipes këtë trashëgimi.
Dita u përmbyll me koncertin “Mora udhë kah Manastiri”. Në të performuan tri ansamble shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, në praninë e Kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Sot, VLEN vazhdon punën që ky bashkim të ndihet çdo ditë: me më pak pritje në kufi, me më shumë bashkëpunim dhe me më shumë mundësi për qytetarët në të dyja anët e kufirit