Nga fusha e futbollit te parketi i basketbollit – Hekuran Xheladini sjell trofeun e radhës për SHFK “Migjeni”

Sporti shkollor në SHFK “Migjeni” po përjeton ditë të arta. Pas suksesit të madh në futboll, kjo shkollë ka ngritur edhe një tjetër trofe, këtë herë në basketbollin e vajzave informon Tetovasot.

Nxënëset e SHFK “Migjeni” janë shpallur kampione në garat komunale të basketbollit, duke treguar se puna, përkushtimi dhe organizimi i mirë sjellin rezultate të mëdha.

Pas triumfit në futboll, profesori i edukatës fizike dhe sportit, Hekuran Xheladini, vazhdon të dëshmojë se sporti në këtë institucion nuk është vetëm një aktivitet, por një mision për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e reja.

Vajzat e “Migjenit” arritën të mposhtin konkurrencën dhe të vendosin emrin e shkollës në majën e sportit shkollor.

“Ky sukses është rezultat i punës së madhe të vajzave tona. Ato treguan karakter, shpirt garues dhe dashuri për sportin. Falënderoj çdo nxënëse që dha maksimumin, sepse ky trofe i përket të gjithave. Krenaria më e madhe për një profesor është kur sheh nxënësit e tij duke u rritur përmes sportit dhe duke sjellë rezultate për shkollën,” u shpreh profesori Hekuran Xheladini.

Ai shtoi se pas çdo suksesi qëndron një punë e gjatë në stërvitje dhe një frymë e mirë ekipore.

“Ne nuk punojmë vetëm për trofe. Synimi ynë është të edukojmë të rinj me vlera, disiplinë dhe besim në vete. Trofetë janë shpërblim për këtë angazhim,” tha Xheladini.

Ky triumf është një tjetër dëshmi se SHFK “Migjeni” po ndërton një traditë të fortë sportive, duke qenë shembull se shkolla mund të jetë një vatër ku lindin kampionë.

Nga futbolli te basketbolli, Hekuran Xheladini dhe nxënësit e tij po shkruajnë një kapitull të ri të suksesit sportiv të SHFK “Migjeni”.