Cristiano Ronaldo futet në botën e kinemasë, pjesë e një seriali bashkë me Thierry Henry

Cristiano Ronaldo po zgjeron aktivitetin e tij përtej futbollit, duke bërë debutimin në industrinë televizive si producent. Ylli portugez ka njoftuar përmes rrjeteve sociale projektin e tij të parë, një serial me titull “Day 1s”, i cili do të ketë në qendër botën e futbollit dhe pritet të publikohet në vitin 2027.

Projekti do të realizohet në bashkëpunim me regjisorin e njohur Matthew Vaughn. Historia do të përqendrohet te Stanley Dalton, një agjent britanik i përfshirë në merkaton e Premier League, personazh që do të interpretohet nga aktori Damian Lewis.

Në kastin e serialit do të jenë të përfshirë emra nga bota e kinemasë, muzikës dhe sportit. Mes tyre spikasin aktorja gjermane Carlotta Banat, reperi Dave dhe ish-sulmuesi i Arsenalit dhe kombëtares së Francës, Thierry Henry.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse vetë Cristiano Ronaldo do të shfaqet në serial përmes një roli të shkurtër. Mundësia e një paraqitjeje të tij speciale nuk është konfirmuar ende.

Regjisori Matthew Vaughn ka shprehur entuziazmin për bashkëpunimin me pesë herë fituesin e Topit të Artë, duke theksuar se përvoja dhe karriera e Ronaldos në fushën e lojës përbëjnë një burim të jashtëzakonshëm historish.

“Cristiano ka krijuar në fushën e futbollit histori që unë nuk do të kisha mundur t’i shkruaja kurrë. Mezi pres të realizojmë së bashku filma që frymëzojnë”, u shpreh Vaughn.

Kështu, Ronaldo po ndërton një tjetër kapitull në aktivitetet e tij jashtë fushës së blertë, këtë herë në botën e televizionit dhe kinemasë.