Taylor Swift rikthehet në skenën e Country Music Awards pas 13 vitesh, por një këngëtare 27-vjeçare i rrëmben gjashtë çmime historike

Ceremonia e 60-të e çmimeve Country Music Association Awards në Nashville është kthyer në një prej ngjarjeve më të komentuara të industrisë muzikore amerikane. Rikthimi i Taylor Swift në këtë skenë pas 13 vitesh, performanca e saj përpara publikut dhe triumfi i jashtëzakonshëm i këngëtares 27-vjeçare Ella Langley kanë qenë momentet kryesore të mbrëmjes.

Ella Langley u bë protagonistja absolute e ceremonisë, duke fituar gjashtë çmime, përfshirë atë më të rëndësishmin, Artistja e Vitit. Ajo triumfoi gjithashtu në kategoritë e albumit të vitit, këngëtares femër të vitit, këngës së vitit, këngës më të mirë single dhe videos muzikore të vitit.

Kënga e saj “Choosin’ Texas” mposhti edhe kandidaturën e Taylor Swift për çmimin e këngës single të vitit. Suksesi i saj është veçanërisht i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh se Langley ka vetëm pak vite që është bërë një emër i njohur në industrinë muzikore.

Në moshën 27-vjeçare, ajo arriti të marrë pothuajse të gjitha çmimet kryesore të mbrëmjes. Gjatë fjalimit pas marrjes së çmimit të fundit, ajo bëri edhe një shaka me publikun, duke thënë se në atë moment ishte lodhur edhe vetë duke e dëgjuar emrin e saj kaq shpesh.

“Choosin’ Texas” është kthyer në një fenomen muzikor. Kënga ka qëndruar në vendin e parë të Billboard Hot 100 për 27 javë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Mariah Carey me hitin e saj festiv “All I Want for Christmas Is You”.

Por vëmendjen e publikut e mori edhe Taylor Swift, e cila u rikthye në ceremoninë CMA për herë të parë pas 13 vitesh. Artistja, e cila e nisi karrierën në muzikën country përpara se të shndërrohej në një prej yjeve më të mëdha të pop-it, kishte vetëm një nominim, për këngën “I Knew It, I Knew You”, pjesë e kolonës zanore të filmit “Toy Story 5”.

Swift performoi një kombinim të kësaj kënge me hitin e saj të vitit 2006, “Our Song”, duke rikujtuar fillimet e karrierës në muzikën country. Në skenë iu bashkua edhe Keith Urban, i cili luajti në banjo, instrument tradicional i muzikës country.

Ajo u rikthye në skenë edhe për të dorëzuar çmimin Willie Nelson Lifetime Achievement Award për dyshen Brooks & Dunn. Gjatë prezantimit, Swift vlerësoi kontributin e tyre në muzikë dhe entuziazmin që vazhdojnë të tregojnë edhe pas shumë dekadash karrierë.

Ceremonia u hap me një homazh për Dolly Parton, e cila, sipas raportimit të Reuters, ndërroi jetë në gusht në moshën 80-vjeçare. Prezantuesja e mbrëmjes, Lainey Wilson, interpretoi së bashku me Vince Gill këngën e famshme “I Will Always Love You”, në nderim të artistes.

Më shumë se 7 mijë anëtarë të Country Music Association morën pjesë në përzgjedhjen e fituesve. Ceremonia u transmetua nga ABC dhe u bë e disponueshme edhe në Disney+.

Mbrëmja shënoi një moment të rëndësishëm për Ella Langley, e cila nga një emër në ngritje është kthyer në një prej figurave kryesore të muzikës country, ndërsa rikthimi i Taylor Swift tregoi se lidhja e saj me zhanrin ku nisi karrierën mbetet ende e fortë.