Në USHCM ka energji elektrike. Është e vërtetë që ka borxhe për energjinë elektrike, megjithatë dje në Gazetën zyrtare doli ribalanci i buxhetit, borxhet po i shlyejmë rregullisht, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.
Një pjesë e Fakulteteve pranë Universitetit “Shën Cirili e Metodi” (USHCM) dhe ndërtesa e Rektoratit dje nuk patën energji elektrike për shkak të faturave të papaguara ndaj operatorit që i furnizon. Pas disa orësh rryma u lidh, por, siç raportuan disa media, është dhënë afat që borxhi të shlyhet deri të premten.
Sipas Janevskës, fakultetet nuk duhet të druajnë nga ndërprerja e sërishme.
“Ne i servisojmë rregullt ato borxhe dhe jam thellë e bindur se nuk do të kemi një problem të tillë”, tha ministrja pas vizitës në Institutin e Historisë në Fakultetin e Filozofisë pranë USHCM-së, me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të tij.
Lidhur me ankesat e studentëve se biletat digjitale për transport në autobusët e NQP “Shkup” nuk po funksionojnë për të gjithë, dhe ndërkohë ndërmarrja e transportit të qytetit ka hequr biletat e tyre në letër, Janevska u përgjigj se nuk është në dijeni të ndonjë problemi.
“Por, nëse ka ndonjë problem, jam thellë e bindur se udhëheqësia e NQP-së urgjentisht do ta zgjidh atë problem të studentëve”, shtoi Janevska.


