Gjermania mbyll derën për gjysmën e punëtorëve nga Ballkani: Kuota bie në 25.000

Qeveria gjermane miratoi propozimin për ta ulur kuotën vjetore të punësimit të punëtorëve nga Ballkani Perëndimor nga 50.000 në 25.000. Nëse masën e miraton Bundesrati, rregullat e reja mund ta vështirësojnë hyrjen në tregun gjerman të punës për punëtorët nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe vendet e tjera të rajonit.

Votimi në Bundesrat, i cili përfaqëson 16 landet federale gjermane, është caktuar për 18 dhjetor. Propozimi ishte paralajmëruar më herët në marrëveshjen e koalicionit mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, por tashmë po has kundërshtime nga një pjesë e ekonomisë gjermane.

Punëdhënësit paralajmërojnë mungesë të fuqisë punëtore

Shoqatat gjermane të punëdhënësve mendojnë se ulja e kuotës mund ta thellojë mungesën e fuqisë punëtore, sidomos në ndërtimtari, dhe kërkojnë që kufizimi të hiqet plotësisht.

Sipas mediumit të specializuar “Bau”, drejtori i përgjithshëm i Shoqatës Kryesore të Industrisë Gjermane të Ndërtimit, Tim Oliver Müller, paralajmëroi se për shkak të kësaj mase sektorit mund t’i mungojnë gati 9.000 punëtorë.

Sipas tij, punëtorët me përvojë në ndërtimin e konstruksioneve prej çeliku dhe betoni vështirë se mund të zëvendësohen me punëtorë vendas ose me të punësuar nga sektorë të tjerë.

Müller kujtoi se vetëm vitin e kaluar dolën në pension rreth 17.000 të punësuar në ndërtimtari. Ai theksoi se punëtorët e angazhuar sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor bëjnë të mundur që punimet në kantiere të vazhdojnë pa ndërprerje. Ulja e numrit të tyre mund të sjellë vonesa dhe kosto më të larta për ndërtimin e banesave dhe projektet infrastrukturore.

Një në shtatë punëtorë në ndërtimtari ka pasaportë të huaj

Paralajmërime të ngjashme vijnë edhe nga Shoqata Qendrore e Ndërtimtarisë Gjermane. Sipas të dhënave të saj, një në shtatë të punësuar në sektor ka pasaportë të huaj.