Belgjikë, qyteti i Gentit kërkon hetim për kompaninë izraelite të transportit

Qyteti i Gentit në Belgjikë i ka bërë thirrje qeverisë flamande që të hetojë historikun e një kompanie izraelite transporti lidhur me të drejtat e njeriut ndërsa një degë holandeze e kësaj kompanie pritet të operojë një linjë të re autobusësh ndërkufitarë, raportoi sot transmetuesi publik belg VRT, transmeton Anadolu.

Linja e planifikuar direkte midis Gentit dhe Terneuzenit në Holandë i është besuar operatorit holandez të autobusëve EBS, një degë e kompanisë izraelite “Egged Transportation”. Autoritetet e Gentit thonë se “Egged” është “e përfshirë në mënyrë aktive në shkelje të të drejtave të njeriut” dhe i kanë kërkuar qeverisë flamande të shqyrtojë veprimtarinë e kompanisë, si dhe lidhjet e saj me shërbimin e planifikuar.

“Egged” operon linja autobusësh që lidhin Izraelin me vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor. Kompania figuron në një bazë të dhënash të Kombeve të Bashkuara që përfshin biznese të angazhuara në aktivitete të lidhura me vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara.

Në përgjigje ndaj pyetjeve parlamentare në vitin 2025, qeveria holandeze konfirmoi se “Egged” zotëron EBS-në dhe se është e përfshirë në bazën e të dhënave të OKB-së.

Qeveria deklaroi se nuk i mbështet lidhjet ekonomike me kompani që operojnë në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara, por pranoi se nuk disponon informacione mbi rrjedhat financiare midis EBS-së dhe kompanisë së saj mëmë.

Linja e re e autobusëve synon të krijojë lidhje direkte të transportit publik midis Gentit dhe Terneuzenit.