Kryqi i Kuq hap qendër këshillimi për mbështetje psikologjike të qytetarëve

Kryqi i Kuq ka hapur një qendër për këshillim psikologjik, e dedikuar për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për mbështetje profesionale dhe konfidenciale.

Shërbimi përfshin seanca individuale psikologjike me profesionistë të fushës, këshillim profesional dhe mbështetje për përballimin e stresit, ankthit dhe ngarkesave emocionale, si dhe ndihmë për sfidat personale, familjare dhe profesionale.

Nga Kryqi i Kuq theksojnë se qendra ofron një hapësirë të sigurt dhe konfidenciale për bisedë, me qasje individuale të përshtatur sipas nevojave të secilit përdorues.

Qendra punon çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa seancat individuale zgjasin nga 45 deri në 60 minuta.

Qytetarët mund të marrin informacione dhe të caktojnë termin në numrin e telefonit 072 271 048, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00.

“Përkujdesja për shëndetin mendor nuk është luks, por nevojë. Kërkimi i mbështetjes psikologjike nuk është dobësi, por guxim”, thuhet në mesazhin e Kryqit të Kuq, nga ku theksojnë se mbështetja në kohë mund të kontribuojë në një ekuilibër më të mirë emocional dhe në një jetë më cilësore.

Nga organizata i inkurajojnë qytetarët të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë, me mesazhin: “Nuk duhet t’i përballoni të gjitha vetë! Shëndeti juaj mendor ka rëndësi!”

Kryqi i Kuq ka publikuar edhe një video për shërbimin e ri të këshillimit psikologjik në kanalin e tij në YouTube.