Japonia zyrtarizon kandidaturën e Kozo Tashimës për president të FIFA-s

Federata Japoneze e Futbollit (JFA) njoftoi se ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e presidentit të saj të nderit, Kozo Tashima, për postin e presidentit të FIFA-s, transmeton Anadolu.

JFA bëri të ditur se i dërgoi letër FIFA-s, pasi bordi i saj miratoi njëzëri kandidaturën e Tashimës në mbledhjen e mbajtur më 5 nëntor. 68-vjeçari, i cili drejtoi JFA-në nga viti 2016 deri në vitin 2024 ka siguruar mbështetjen e pesë federatave kombëtare të futbollit, duke përmbushur kërkesën minimale të mbështetjes për të hyrë në garën zgjedhore.

FIFA tani do të shqyrtojë përshtatshmërinë e Tashimës dhe kandidatëve të tjerë përpara se të shpallë zyrtarisht emrat e kandidatëve të miratuar. Tashima falënderoi presidentin e JFA-së, Tsuneyasu Miyamoto, bordin e federatës dhe federatat kombëtare që mbështetën kandidaturën e tij.

Ai tha se zhvillimi i futbollit japonez dhe rritja e njohjes së tij në arenën ndërkombëtare kanë ndikuar në mbështetjen për kandidaturën e tij. Tashima u zotua të forcojë qeverisjen dhe transparencën në FIFA, duke u mbështetur në përvojën e Japonisë në administrimin e futbollit.

“Do të doja ta shfrytëzoja këtë përvojë për të nxitur qeverisje më të fortë dhe menaxhim më transparent organizativ në FIFA”, tha ai. Tashima theksoi rëndësinë e lojës së ndershme, respektit dhe integritetit, duke u zotuar të zgjerojë mundësitë që fëmijët të luajnë futboll në një mjedis të sigurt.

Ai tha se synon ta bëjë FIFA-n një organizatë më të shëndetshme dhe më të besueshme, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e futbollit në mbarë botën. Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s janë caktuar të mbahen më 18 mars 2027 në Kongresin e 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, ku përfaqësuesit e 211 federatave anëtare të organizatës do të zgjedhin presidentin e ardhshëm.

Tashima synon të sfidojë presidentin aktual Gianni Infantino, i cili drejton FIFA-n që nga viti 2016. Në mesin e kandidatëve të tjerë që kanë shpallur kandidaturën janë edhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo dhe ish-kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Ramon Vega.