Gashi: Kuvendi miraton disa ligje dhe vendime, përfshirë Rezolutën për Politikën e Migrimit 2026–2030

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka mbajtur sot seancë plenare, gjatë së cilës janë realizuar pyetjet e deputetëve të opozitës, ndërsa më pas janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rendit të ditës.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri të ditur se ndër vendimet e miratuara janë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për privatizimin dhe dhënien me qira të tokës ndërtimore në pronësi shtetërore, si dhe ndryshimet në Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Peshkatari dhe Akuakulturë.

“Në seancën e sotme plenare u realizuan pyetjet e deputetëve të opozitës, ndërsa në vijim u shqyrtuan dhe miratuan disa pika me rëndësi”, njoftoi Gashi.

Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe zgjedhja e Andon Damovskit dhe Gordana Stefkovska Veljanovskës si anëtarë të Këshillit për Mbikëqyrje Qytetare.

Po ashtu, deputetët kanë miratuar vendimin për zgjedhjen e Ana Vitkovës si anëtare e Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Një tjetër pikë e rëndësishme e miratuar është Rezoluta për Politikën e Migrimit 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

“Ndër pikat e miratuara janë edhe Rezoluta për Politikën e Migrimit 2026–2030, me Planin e Veprimit, si dhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Peshkatari dhe Akuakulturë”, bëri të ditur kryeparlamentari Gashi.

Me këto vendime, Kuvendi ka përmbyllur shqyrtimin dhe miratimin e disa çështjeve që lidhen me pronën shtetërore, mbikëqyrjen qytetare, rregullimin e sektorit të energjetikës dhe ujërave, politikën e migrimit dhe fushën e ndërtimit e të peshkatarisë.