Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, akuzoi për selektivitet mbi baza etnike gjatë dërgimit të vendimeve për pagesën retroaktive të tatimit nga pesë vite më parë, për qytetarët që kanë punuar në Irak dhe Afganistan. Ajo e pyeti ministren e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, pse 90 për qind e vendimeve për pagesën e tatimit u janë drejtuar shqiptarëve. Ajdari kërkoi nga ministrja që këto vendime tatimore të anulohen.
“Ajo që e bën këtë çështje edhe më alarmante dhe shqetësuese është selektiviteti gjeografik dhe etnik i këtij aksioni të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, sepse mbi 90 për qind e qytetarëve të cilëve sot po u dërgohen këto fatura janë nga rajoni i Pollogut, Tetovës dhe Gostivarit, si dhe nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë”, tha Rina Ajdari.
Në mbledhjen e tatimeve nuk ka selektivitet, pasi tatimi nuk njeh përkatësi etnike, përkatësisht nëse bëhet fjalë për maqedonas apo shqiptarë, u përgjigj ministrja Dimitrieska-Koçoska.
“Kur bëhet fjalë për tatimet, ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese. Ligji ju lejon të ktheheni pesë vite prapa dhe këtu nuk kemi të bëjmë me retroaktivitet, por kushdo që nuk e ka paguar tatimin gjatë pesë viteve të fundit, ka obligim ta paguajë atë. Ky është momenti i parë. Nuk e di pse edhe nga kjo temë po përpiqeni sërish të krijoni tensione etnike. Sinqerisht, jam e habitur nga kjo pyetje. A është paguar tatimi apo nuk është paguar, kjo është çështja”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska.
Reagime nga një numër i madh qytetarësh që kanë punuar jashtë vendit pati edhe vitin e kaluar, pasi në adresat e tyre arritën vendime për pagesën e tatimit. Ata reaguan duke vlerësuar se është e palogjikshme që tani të paguajnë tatim për paratë që i kanë fituar jashtë vendit pesë vite më parë.


