Lihet i lirë i dënuari për djegien e veturave të Ambasadës bullgare! Igor Dashkovski Stojanovski do të paraqitet një herë në javë në gjykatë

Gjykata Penale në Shkup ka shfuqizuar paraburgimin ndaj Igor Dashkovski Stojanovskit, i dënuar me tetë muaj burg për djegien e dy veturave diplomatike të Ambasadës bullgare në Shkup. Nga Gjykata bëjnë të ditur se ai ka vuajtur rreth gjysmën e dënimit, e ka pranuar fajësinë, ka vendbanim të përhershëm në vend dhe nuk paraqet më rrezik të konsiderueshëm për arratisje.

Si masë alternative, Dashkovski Stojanovski është obliguar të paraqitet çdo të mërkurë, në Gjykatën Penale në Shkup. Ky detyrim do të zgjasë deri në përfundimin e plotfuqishëm të procedurës. Ai e kishte pranuar fajësinë në seancën e 30 tetorit për djegien e veturave, ngjarje që ndodhi më 15 qershor të këtij viti.