Organi që mbikëqyr planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë, ka akuzuar si Izraelin, ashtu edhe Hamasin se nuk po i përmbushin zotimet për t’u dhënë fund armiqësive, duke e lënë popullsinë e Gazës në kushte tejet të rënda dhe armëpushimin në rrezik dështimi.
Raporti prej 12 faqesh i Bordit të Paqes, të cilin e ka parë agjencia Reuters, është raporti i dytë që ky organ i paraqet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja, 13 muaj më parë. Në të bëhet një vlerësim shqetësues i përparimit të arritur që atëherë.
Bordi, i krijuar dhe i drejtuar nga Trumpi, pritet t’i paraqesë gjetjet e raportit në një takim të Këshillit të Sigurimit në New York, në fund të nëntorit.
“Dallimi mes asaj që është rënë dakord dhe asaj që po ndodh në terren mbetet megjithatë rreziku kryesor për këtë proces”, thuhet në raport, ku paralajmërohet se “një armëpushim që nuk sjell rezultate të dukshme nuk mund të mbahet pafundësisht”.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe një zëdhënës i zyrës politike të Hamasit nuk u janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment lidhur me raportin.
Ndonëse armëpushimi ka ndalur luftimet në shkallë të gjerë, plani më i gjerë, i cili parasheh çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e rindërtimit, ka mbetur praktikisht i bllokuar që pak kohë pas hyrjes në fuqi vitin e kaluar.
Hamasi ka rënë dakord në korrik për një udhërrëfyes të Bordit të Paqes, sipas të cilit do të dorëzonte armët dhe do t’ia kalonte qeverisjen e Gazës një autoriteti civil kalimtar. Megjithatë, Izraeli e ka refuzuar këtë udhërrëfyes, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet derisa Hamasi të çmontohet.
Izraeli ka kryer sulme pothuajse çdo ditë në Gazë, ndërsa sipas raportit, edhe luftëtarët e Hamasit kanë vazhduar sulmet ndaj trupave izraelite.
“Çdo ditë që Izraeli vazhdon sulmet ndaj objektivave të Hamasit, shtyhet vënia në provë e gatishmërisë së Hamasit për të zbatuar marrëveshjen për udhërrëfyesin”, thuhet në raport.
“Ndërkohë, aktivitetet militante të Hamasit vazhdojnë, zotimi i palëve për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve ushtarake nuk është përmbushur plotësisht dhe popullsia po përballet me një tjetër dimër në tenda dhe mes rrënojave”, thuhet më tej.
Më shumë se dy milionë palestinezë të Gazës jetojnë të kufizuar në rreth një të tretën e territorit bregdetar, kryesisht në tenda të improvizuara dhe ndërtesa të dëmtuara, nën kontrollin e luftëtarëve të
Hamasit. Izraeli mban nën pushtim dy të tretat e Gazës, të cilat në pjesën më të madhe janë rrafshuar dhe zbrazur nga popullsia.
Raporti kritikoi qeverinë izraelite për “mungesë të vendimmarrjes” lidhur me masat për trajnimin dhe dislokimin e një force civile policore palestineze, e cila do ta zëvendësonte Hamasin si autoritet përgjegjës për rendin dhe sigurinë në Gaza. Sipas raportit, kjo po pengon zbatimin e plotë të planit.
Në raport thuhet gjithashtu se kufizimet e vendosura nga Izraeli për furnizimet dhe pajisjet, së bashku me mungesën e fondeve, kanë penguar aftësinë e banorëve të Gazës për t’u përgatitur dhe për t’u përballur me përmbytjet sezonale.
Reshjet e dendura të shiut përmbytën javën e kaluar kampet e të zhvendosurve në të gjithë Gazën, ndërsa parashikohen reshje të tjera gjatë këtij muaji.


