Dhomat e Specializuara japin detaje mbi vizitën e Jakup Krasniqit

Jakup Krasniqi ka zhvilluar një vizitë të papritur në Kosovë, teksa udhëtimi i tij nga Haga për në Prishtinë u realizua sot.

IndeksOnline raportoi më herët se Krasniqi ka marrë lejen nga Gjykata Speciale për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Ndërkohë, nga Dhomat e Specializuara kanë ndarë detaje mbi vizitën e Krasniqit.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka thënë për IndeksOnline se vizita e Krasniqit ka të bëjë me shkaqe humanitare, sakaq u lejua nga trupi gjykues duke u bazuar mbi ligjet ndërkombëtare.

“Për momentin, e vetmja gjë që mund të them është se kjo erdhi si pasojë e arsyeve të forta humanitare. Pala e akuzuar mund të paraqesë një kërkesë të tillë, siç e dini, dhe më pas gjyqtarët, duke u mbështetur në rregullat e gjykatës si dhe në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, marrin një vendim me urgjencë dhe profesionalizëm” ka thënë Doyle.

I pyetur se për sa ditë i është dhënë leja për qëndrim Krasniqit, Doyle tha:

“Ndoshta më vonë – siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, pasi të jenë kryer vizitat – do të bëhen publike më shumë informacione, përfshirë ato në dokumentet gjyqësore. Për momentin, nuk jam në gjendje të jap detaje të tilla operative. Siç e përmenda, informacione të tilla zakonisht bëhen publike më vonë. Nuk mund të jap më shumë informacione; mund të them vetëm se bëhet fjalë për arsye të forta humanitare” tha Doyle.

Hera e fundit kur Krasniqi ishte në Kosovë, ishte tetori i vitit 2024.

Ai u dënua më 25 vjet burg në aktgjykimin e 16 shtatorit të këtij viti.