Gjithçka gati për “Euro 2027” U-21 që to dë zhvillohet në Tiranë, mësohen 16 kombëtaret pjesëmarrëse

Janë kompletuar tashmë të 16 ekipet kombëtare që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian për grupmoshat U-21 (“Euro 2027”), i cili do të organizohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Holanda, Çekia, Finlanda dhe Greqia siguruan biletat e fundit pas ndeshjeve emocionuese eliminatore, duke plotësuar kështu listën e plotë të pjesëmarrësve për turneun e verës së ardhshme, shkruan IndeksOnline.

Këtyre katër përfaqësueseve iu bashkuan Shqipëria dhe Serbia në cilësinë e bashkëorganizatoreve, si dhe kombëtaret që e kishin siguruar kualifikimin më herët: Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Polonia, si vendi i dytë me bilancin më të mirë.

Shorti për ndarjen e ekipeve në katër grupe me nga katër përfaqësuese do të hidhet të enjten, më 26 nëntor, duke filluar nga ora 18:30, në Qendrën e Kongresit “Sava” në Beograd.

Ndeshjet e “Euro 2027” do të zhvillohen në gjithsej tetë stadiume – nga katër në secilin shtet. Në Shqipëri takimet do të luhen në “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa në Serbi janë përzgjedhur stadiumet në Beograd, Baçka, Loznicë dhe Leskovc.

Ndeshja hapëse e Kampionatit Evropian U-21 do të zhvillohet në Beograd më 16 qershor 2027, ndërsa finalja e madhe do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, më 3 korrik 2027.