Sot, në Kuvend, u mbajt aktiviteti me rastin e „35-vjetorit të pavarësimit dhe miratimit të Kushtetutës së parë”, i organizuar nga Kuvendi, Instituti Publik Shkencor për Histori Kombëtare dhe Arkivi Shtetëror.
Fillimisht, fjalën hyrëse e mbajti kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
„8 Shtatori i vitit 1991 dhe 17 Nëntori i po këtij viti janë dy ngjarje të pandashme në historinë bashkëkohore të shtetit, pasi në datën e parë u mbajt referendumi, ndërsa në të dytën u miratua Kushtetuta e Maqedonisë së pavarur, me çka u shpreh në mënyrën më të qartë vullneti politik i qytetarëve dhe institucionalizimi i tij përmes rendit kushtetues. Me këtë Kushtetutë, krahas shpalljes politike të shtetësisë, Maqedonia e përkufizoi edhe identitetin e saj shtetëror dhe zuri vendin e saj ndër shtetet sovrane, të pavarura, demokratike dhe sociale, duke u bërë shtet juridik i bazuar në sundimin e së drejtës, liritë dhe të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe orientimin euroatlantik”, theksoi Gashi.
Pas fjalimit të kryetarit Gashi, u shfaq filmi dokumentar „35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë”.Drejtori i Arkivit Shtetëror, Dimitar Bogeski, në fjalimin e tij theksoi se burimet arkivore përbëjnë bazën për të kuptuar gjenezën e shtetit tonë, zhvillimin e tij politik dhe juridik, si dhe dëshmojnë për proceset historike që lidhen me pavarësinë. Ai theksoi se Arkivi Shtetëror përfaqëson kujtesën institucionale të shtetit dhe një shtyllë të rëndësishme të sigurisë juridike dhe funksionimit të papenguar të organeve shtetërore.
Drejtori i Institutit Publik Shkencor për Histori Kombëtare, Mitko Panov, në fjalimin e tij u ndal te zhvillimet historike gjatë shekullit XX, duke vënë në pah rëndësinë e tyre për të kuptuar proceset bashkëkohore shtetërore. Me këtë rast, ai theksoi edhe rëndësinë e aktivitetit të sotëm, duke nënvizuar se „Kushtetuta është mbrojtja themelore e identitetit dhe dinjitetit të qytetarëve”.Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, u ndal te kontributi i saj personal në procesin e miratimit të Kushtetutës, duke theksuar se ajo ishte miratuar me 92 vota „PËR” dhe 22 vota „KUNDËR”, gjë që, sipas saj, dëshmon legjitimitetin e saj të fuqishëm demokratik. Ajo foli edhe për ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet që ka pësuar Kushtetuta nga miratimi i saj e deri më sot.
Duke folur për rëndësinë e Kushtetutës në shoqërinë bashkëkohore, presidentja theksoi rolin e saj si marrëveshja më e rëndësishme shoqërore ndërmjet qytetarëve, duke iu referuar mendimit të Zhan-Zhak Rusoit.
Në kuadër të aktivitetit të sotëm do të mbahen edhe diskutime në panel, si dhe një simpozium shkencor ndërkombëtar, në të cilat pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri shkencore, qëndrime dhe përvoja, duke hapur diskutimin për aspektet historike, juridike dhe shoqërore të miratimit të Kushtetutës dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e shtetit.





