Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të përfshihen në një konflikt ushtarak afatgjatë me Iranin, duke përjashtuar mundësinë që përplasja të kthehet në një angazhim shumëvjeçar për Uashingtonin.
Në një intervistë për Fox News, Vance e cilësoi programin bërthamor iranian si një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane, por theksoi se administrata Trump nuk synon të përsërisë përvojat e luftërave të gjata të së kaluarës.
Ai nënvizoi se administrata amerikane mbetet e vendosur të shmangë operacionet ushtarake pa një afat të qartë përfundimi, duke garantuar se SHBA-ja nuk do të qëndrojë përgjithmonë e përfshirë në konflikt.
“Nuk do të qëndrojmë atje përgjithmonë. Premtuam se nuk do të qëndrojmë dhe kam besim të plotë se presidenti do të na nxjerrë nga kjo situatë me rezultate të shkëlqyera”, u shpreh zëvendëspresidenti amerikan.
Megjithatë, zëvendëspresidenti nuk dha një afat konkret për përfundimin e angazhimit amerikan dhe as detaje se si do të realizohet tërheqja e SHBA-së nga konflikti.


