Një ekspert i njohur mjeko-ligjor ka ngritur dyshime të reja mbi vdekjen e Jeffrey Epstein, duke deklaruar se, sipas analizës së tij të provave, financieri amerikan mund të jetë vrarë në qelinë e burgut në vitin 2019.
Profesori Michael Freeman, i cili ka shërbyer si ekspert në disa çështje të rëndësishme të vdekjeve në paraburgim në SHBA, tha në një intervistë për BBC Newsnight se lëndimet e konstatuara në trupin e Epstein janë më të pajtueshme me një mbytje sesa me vetëvrasje.
Freeman bëri të ditur se analizoi dosjen mjeko-ligjore të New York-ut, fotografitë dhe dokumentacionin e autopsisë, të cilat iu vunë në dispozicion nga Mark Epstein, vëllai i të ndjerit.
Sipas ekspertit, disa nga elementet që kanë tërhequr vëmendjen e tij janë një hemorragji e thellë në shpatullën e majtë, dëmtime në fytyrë dhe shenja në zonën e qafës, të cilat ai i interpreton si të mundshme të një përpjekjeje për të hequr një ligaturë.
Ai pretendon se Epstein mund të jetë mbytur me një ligaturë, e cila më pas mund të jetë përdorur për të varur trupin në krevatin dykatësh të qelisë.
Megjithatë, këto përfundime nuk përbëjnë një përcaktim zyrtar të shkakut të vdekjes dhe hulumtimi i Freeman nuk është shqyrtuar nga kolegët shkencorë.
Përfundimi zyrtar: Vetëvrasje
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në Qendrën Korrektuese Metropolitan në Neë York, ku mbahej në pritje të gjyqit për akuza të trafikimit seksual të të miturave.
Në atë kohë, kryemjekja ligjore e New York-ut, Dr. Barbara Sampson, përcaktoi se vdekja ishte vetëvrasje me varje. Ajo ka deklaruar më parë se qëndron plotësisht pas përfundimit të autopsisë.
Edhe mjeku që kreu autopsinë i kishte thënë Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë se dëmtimet ishin më të pajtueshme me vetëvrasjen sesa me një vrasje me mbytje. Sipas tij, nuk kishte prova të plagëve mbrojtëse që zakonisht mund të shfaqen te viktimat e një sulmi të tillë.
Një raport i Departamentit të Drejtësisë evidentoi gjithashtu probleme serioze me mbikëqyrjen në burg, ndërsa Epstein ishte vendosur përkohësisht nën vëzhgim për rrezik vetëvrasjeje rreth një muaj para vdekjes.
Eksperti: Nuk e di kush mund ta ketë vrarë
I pyetur se kush mund të qëndronte pas një vrasjeje të mundshme, Freeman u shpreh se nuk kishte asnjë ide dhe se kjo nuk ishte pjesë e analizës së tij.
Ai theksoi se është i hapur ndaj kundërshtimeve shkencore dhe kërkoi që dokumentacioni të shqyrtohet edhe nga ekspertë të tjerë.
Vdekja e Epstein vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara në SHBA, për shkak të lidhjeve të tij me figura të fuqishme politike, ekonomike dhe publike.
Epstein ishte dënuar në vitin 2008 për nxitje prostitucioni me një të mitur, ndërsa në vitin 2019 u përball me akuza të reja për trafikim seksual të vajzave të mitura. Ai ndërroi jetë përpara se çështja të shkonte në gjyq.


