Një dështim spektakolar në hapësirë i ka kushtuar Amazonit 40 satelitë interneti. Raketa amerikane Vulcan, pësoi një anomali vetëm 10 minuta pas nisjes nga Florida, duke mos arritur të vendoste ngarkesën në orbitë. Shkaku mbetet ende i paqartë, ndërsa pritet një hetim teknik që mund të pezullojë për muaj të tërë fluturimet e raketës.
Një shpërthim në mes të fluturimit dhe 40 satelitë të shkatërruar. Raketa amerikane Vulcan, e operuar nga United Launch Alliance, pësoi një anomali rreth 10 minuta pas ngritjes nga baza hapësinore Cape Canaveral në Florida, duke dështuar në misionin për vendosjen në orbitë të satelitëve të internetit të Amazon.
Ngarkesa ishte pjesë e projektit Leo të kompanisë Amazon, që synon të ndërtojë një rrjet satelitor për ofrimin e internetit në mbarë botën.
Kompania konfirmoi se raketa nuk arriti të përfundonte misionin, ndërsa shkaku i incidentit mbetet ende i panjohur. Të dhënat e fluturimit do t’i nënshtrohen një hetimi teknik për të përcaktuar se çfarë shkoi keq.
Ky është dështimi i parë i një misioni për United Launch Alliance që prej krijimit në vitin 2006 dhe një goditje për planet e Amazonit për zgjerimin e shërbimit të saj të internetit satelitor.
Problemet mund të sjellin edhe pezullimin e përkohshëm të fluturimeve të raketës Vulcan, ndërsa hetimet pritet të zgjasin disa muaj.
Nuk është hera e parë që kjo raketë përballet me vështirësi teknike. Fluturimet e mëparshme kishin ngritur shqetësime për shtytësit e raketës dhe motorët BE-4, të prodhuar nga kompania Blue Origin e Jeff Bezos.
Pikërisht Blue Origin po ndihmon në hetimin e incidentit të fundit.
Pavarësisht dështimit, Amazon shprehu besim te partneri i saj ULA, duke deklaruar se pret që kompania të nxjerrë mësimet e nevojshme për të vijuar planet afatgjata.
Incidenti vjen në një moment sfidues për industrinë amerikane të lëshimeve hapësinore, e cila po përballet me probleme teknike dhe vonesa operacionale. Ndërkohë, humbja e 40 satelitëve përbën një pengesë të konsiderueshme për garën globale të internetit nga hapësira.


