Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Bruksel, është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, të cilët kanë rikonfirmuar mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Pas takimit, Costa, përmes një postimi në rrjetin social amerikan X, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
“Shqipëria po përparon në rrugën e antarësimit në BE”, ka thënë Costa.
Ai ka theksuar se, ndërsa vendi hyn në një fazë më kërkuese të negociatave të anëtarësimit, e ka inkurajuar Ramën të ruajë ritmin e reformave dhe të vazhdojë të trajtojë në veçanti sfidat që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërkaq, pas takimit me Metsolan, Rama bëri të ditur në rrjetet sociale se presidentja e Parlamentit Evropian e ka përgëzuar Shqipërinë për progresin e arritur në rrugën e integrimit evropian dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e fortë të këtij institucioni për procesin e zgjerimit të BE-së.
Kryeministri Rama po qëndron për vizitë në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku më herët mori pjesë në panelin me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”.


