Kurti: Në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese në dekadën e fundit

Mbi 118 mijë biznese janë regjistruar në Kosovë gjatë dekadës së fundit, ndërsa eksporti i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti në rreth 400 milionë euro vitin e kaluar. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë 2026.

Kurti ka thënë se eksporti i këtyre shërbimeve është rritur për 14 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Përveçse e rëndësishme për ekonominë dhe rritjen e saj, ndërmarrësia është mundësia që njeriu të jetojë nga dija dhe puna e vet. Ajo është kureshtje dhe guxim që merr përgjigjen e saktë, të paraprirë nga vendimi për të mos pritur”, ka shkruar Kurti.

Duke folur për synimet ekonomike në vitet e ardhshme, ai ka theksuar se Kosova duhet të prodhojë dhe të eksportojë më shumë.

“Qëllimi ynë për vitet e ardhshme është një ekonomi që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon vlerë më të lartë. Një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka paralajmëruar funksionalizimin e Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe themelimin e Fondit për Inovacion, me qëllim të mbështetjes së ideve inovative, bizneseve të reja, kërkimit shkencor dhe digjitalizimit.

“Inovacioni dhe teknologjia, padyshim që do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, pra sa më efikase, sa më pak kohë, sa më shumë produktivitet dhe zhvillimin e prodhimeve e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar e me potencial eksportues”, ka theksuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se do të fuqizohet edhe bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve hulumtuese dhe sektorit privat, ndërsa ndërmarrësit inovativë do të mbështeten përmes programeve të inkubimit, mentorimit dhe qasjes në financim.

Ai ka thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe integrimit të Kosovës në programet evropiane të kërkimit shkencor.

Java Globale e Ndërmarrësisë 2026 organizohet nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK), nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.