VMRO-DPMNE pretendon se hyrja e “Alta Bankës” në tregun financiar të Maqedonisë lidhet me interesa biznesore të qarqeve të LSDM-së dhe BDI-së, duke përmendur edhe një kredi prej pesë milionë eurosh për një kompani të lidhur me familjen e Ali Ahmetit.
Sipas komunikatës së VMRO-DPMNE-së, kompania “AS Senjak”, në pronësi të Selaudin Arifit, krushk i Ali Ahmetit, në tetor të vitit 2024 bleu një paketë të konsiderueshme aksionesh në Stopanska Banka të Manastirit.
Partia pretendon se në qershor të vitit 2025, një kompani e lidhur me këtë rrjet biznesor mori kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Beograd.
Ndërkohë, më 17 shtator 2025, “AS Senjak” ia shiti aksionet në bankën e Manastirit biznesmenit serb Davor Macura dhe kompanisë së tij “Alta Banka”, duke i hapur rrugë marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoni.
VMRO-DPMNE ngre dyshime nëse kredia prej pesë milionë eurosh dhe shitja e aksioneve kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të ndërlidhur biznesore.
Partia kërkon nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, të sqarojnë rolin dhe njohuritë e tyre lidhur me këtë proces.
Në veçanti, VMRO-DPMNE përmend se më 24 tetor 2023, Besimi e kishte hapur temën e “Alta Bankës” në një mbledhje të Qeverisë.
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të plotë të rastit.
Shënim: Pretendimet dhe dyshimet e përmendura janë qëndrime të VMRO-DPMNE-së dhe nuk paraqesin fakte të vërtetuara nga ky material. Press24


