Irani ka shënjestruar një bazë ajrore në Bahrein, në valën më të fundit të sulmeve që nga shtatori, duke shkaktuar paralajmërime publike dhe aktivizimin e sirenave në këtë shtet të Gjirit Persik gjatë mëngjesit të së dielës.
Sipas mediave iraniane, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka deklaruar se kishte dërguar gjashtë dronë për të sulmuar një sistem radarësh amerikanë në shtetin ishullor, aleat të SHBA-së.
Bahreini, i cili ndodhet përballë Iranit, në anën tjetër të Gjirit Persik, është selia e Flotës së Pestë të Marinës amerikane dhe është sulmuar vazhdimisht nga Teherani zyrtar gjatë luftës, e cila është karakterizuar nga përshkallëzime të herëpashershme të sulmeve dhe periudha të gjata qetësie.
Negociatat për përfundimin e luftës kanë mbetur në ngërç, ndërsa SHBA-ja vazhdon bllokadën detare dhe Irani mban nën kontroll të fortë Ngushticën e Hormuzit.
Forcat qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite dhe në luftë me rebelët Houthi, janë tërhequr nga zona e Bab el-Mandebit. Kjo u jep rebelëve, të cilët mbështeten nga Irani, kontroll edhe më të madh mbi këtë korridor jetik detar, përmes të cilit Arabia Saudite dhe prodhuesit e tjerë të naftës në Gjirin Persik kanë transportuar furnizimet e tyre.
Ndërkohë, Hamasi ka konfirmuar se një komandant i lartë, i përfshirë në planifikimin e sulmeve të 7 tetorit 2023, është vrarë të shtunën në një sulm ajror izraelit.


