Drejtorë e shkollave – të kënaqur me punën, por jo edhe me pagat

Në Maqedoninë e Veriut, vetëm 39 për qind e drejtorëve deklaruan se janë të kënaqur me pagën, përqindje kjo më e ulët se mesatarja e OECD-së, e cila është 49 për qind.

Rezultatet për Maqedoninë e Veriut janë të ngjashme me ato të Shqipërisë, ku gjithashtu 100 për qind e drejtorëve të anketuar deklaruan se janë të kënaqur me punën e tyre. Nivel i lartë kënaqësie është regjistruar edhe në Portugali dhe Holandë, me nga 99 për qind. Në Suedi dhe Belgjikë kjo përqindje arrin në 92 për qind, ndërsa në Francë në 82 për qind. Mesatarja e vendeve të OECD-së është 94 për qind.

Megjithatë, kënaqësia me punën nuk nënkupton domosdoshmërisht kënaqësi me kushtet e saj. Në Maqedoninë e Veriut, vetëm 39 për qind e drejtorëve deklaruan se janë të kënaqur me pagën, përqindje kjo më e ulët se mesatarja e OECD-së, e cila është 49 për qind. Sa u përket kushteve të tjera të punës, përveç pagës, të kënaqur janë 54 për qind e drejtorëve, krahasuar me mesataren ndërkombëtare prej 66 për qind.

Sa i përket ngarkesës në punë, 35 për qind e drejtorëve në vend raportuan se përjetojnë stres të konsiderueshëm. Burimi kryesor i këtij stresi është ngarkesa e tepërt me detyra administrative, e përmendur nga 45 për qind e të anketuarve. Më pas renditen ruajtja e disiplinës në shkolla, me 41 për qind, si dhe përgjegjësia për mirëqenien sociale dhe emocionale të nxënësve, me 38 për qind.

Në vendet e OECD-së, përqindja e drejtorëve që raportojnë stres të konsiderueshëm në punë është më e lartë dhe arrin në 61 për qind. Edhe në këto vende, detyrat administrative përbëjnë burimin më të shpeshtë të presionit.

Anketa përfshin edhe të dhëna mbi mënyrën se si drejtorët mbikëqyrin procesin mësimor. Në Maqedoninë e Veriut, 78 për qind e tyre deklaruan se gjatë 12 muajve të fundit kanë ndjekur shpesh ose shumë shpesh orët mësimore. Ndërkaq, 92 për qind u kanë dhënë mësuesve komente dhe vlerësime në bazë të vëzhgimit të orëve, dukshëm mbi mesataren e OECD-së prej 56 për qind.

Përfshirja e mësuesve në vendimmarrjen shkollore gjithashtu rezulton të jetë në nivel të lartë. Sipas raportit, 99 për qind e drejtorëve në Maqedoninë e Veriut deklaruan se mësuesit kanë mundësi të marrin pjesë në vendimet që lidhen me shkollën, përqindje pothuajse e njëjtë me mesataren e OECD-së prej 98 për qind.

Raporti “Vlera e Drejtorëve të Shkollave në TALIS 2024” u publikua më 26 tetor 2026. Anketa TALIS mbledh të dhëna nga mësuesit dhe drejtorët për kushtet e punës, zhvillimin profesional, praktikat shkollore, si dhe marrëdhëniet me nxënësit dhe prindërit. Megjithatë, OECD thekson se rezultatet bazohen në vetëvlerësimin e pjesëmarrësve dhe se krahasimet ndërkombëtare duhet të interpretohen me kujdes. Në veçanti, vlerësimi se 100 për qind e drejtorëve në Maqedoninë e Veriut janë të kënaqur me punën e tyre shoqërohet me rrezik të shtuar të paragjykimit për shkak të mospërgjigjes në anketë.