Më pak ditë, më shumë kontrolle! Rregulla të reja për pushimin mjekësor

Nga 1 dhjetori do të hyjnë në fuqi rregullat e reja për lëshimin e lejeve mjekësore, sipas të cilave, periudha gjatë së cilës mjeku i familjes mund të përcaktojë pushim mjekësor pa kërkuar ekzaminime shtesë, shkurtohet nga shtatë në pesë ditë. Për zgjatjen e mungesës në punë do të kërkohen analiza diagnostikuese ose ekzaminime specialistike, në varësi të sëmundjes dhe diagnozës së pacientit. Megjithatë, ndryshimet nuk nënkuptojnë se pacientët duhet të kthehen në punë pas ditës së pestë. Mjekët e familjes do të vazhdojnë të kenë të drejtë të vendosin për pushim mjekësor deri në 15 ditë, ndërsa për periudha më të gjata do të vendosë Komisioni mjekësor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH). Për disa diagnoza, pacientët do të duhet të referohen më herët për ekzaminime dhe vlerësime shtesë.

Fondi thekson se ndryshimet nuk e kufizojnë të drejtën për pushim mjekësor dhe se listat e pritjes nuk janë arsye automatike për ndërprerjen e tij. Në raste të justifikuara, mjeku i familjes mund të lëshojë referim prioritar për ekzaminim specialistik. Megjithatë, mbetet e paqartë si do të veprohet kur pacienti nuk arrin të kryejë ekzaminimet në kohë.

Ndërkohë, mjekët kanë mendime të ndryshme për rregulloren e re. Disa vlerësojnë se kriteret duhet të rishikohen, të tjerë theksojnë se ndryshimet mund të ndihmojnë në parandalimin e abuzimeve me pushimet mjekësore, ndërsa një pjesë e mjekëve ende nuk kanë informacion të mjaftueshëm për zbatimin e tyre. Rregullorja, e publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare, përcakton edhe kushte më të qarta për pushimin mjekësor afatgjatë. Për zgjatjen e tij përtej 60 ditëve, si rregull, do të kërkohet mendim konsullor nga tre specialistë ose nënspecialistë, i vlefshëm për maksimum 60 ditë. Përjashtime parashikohen për pacientët me sëmundje malinje, pasoja të rënda nga goditja në tru, sklerozë të shumëfishtë, politraumë dhe gjendje terminale. Në raste të justifikuara nga ana mjekësore, kohëzgjatja e parashikuar për një diagnozë mund të tejkalohet me dokumentacion të përditësuar dhe vlerësim të komisionit.

Për pacientët me sëmundje kronike do të mund të përdoren edhe rezultatet e mëparshme diagnostikuese, nëse specialisti i vlerëson të përshtatshme. Këto rezultate nuk duhet të jenë më të vjetra se gjashtë muaj, ndërsa gjetjet radiodiagnostike mund të jenë deri në një vit të vjetra.

Rregullat përcaktojnë gjithashtu se nëse brenda 30 ditëve pas përfundimit të pushimit mjekësor paraqitet përsëri nevoja për pushim për shkak të një diagnoze nga i njëjti grup, mjeku duhet t’i drejtohet komisionit mjekësor. Përjashtim bëjnë rastet kur pacienti ka nevojë për trajtim spitalor. Nëse gjatë pushimit shfaqet një sëmundje ose lëndim i ri dhe i palidhur me diagnozën e mëparshme, pushimi ekzistues mbyllet dhe hapet një i ri.

Ndryshimet parashikojnë edhe mundësinë e lëshimit retroaktiv të pushimit mjekësor në raste të caktuara, përfshirë paraqitjen te mjeku ditën e ardhshme të punës, kur mund të njihet vetëm një ditë retroaktive. Janë përcaktuar edhe dispozita të veçanta për kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë deri në moshën 14 vjeç. Gjithashtu, raportet mjekësore do të gjenerohen në mënyrë elektronike, ndërsa pacientët rëndë të sëmurë, të palëvizshëm ose të shtruar në spital, në rastet e përcaktuara, nuk do të duhet të paraqiten personalisht para mjekut ose komisionit. Personat e siguruar që nuk pajtohen me vlerësimin mjekësor do të kenë të drejtë ankese.

Fondi ka paralajmëruar seminare dhe takime me mjekët më 19 dhe 20 nëntor, për të sqaruar kriteret dhe zbatimin e rregullores së re. Ndryshimet do të vlejnë edhe për procedurat e pushimit mjekësor të nisura para 1 dhjetorit, të cilat ende janë në proces. Edhe pse Fondi pret procedura më të thjeshta dhe kritere më të qarta, mbetet shqetësimi nëse pacientët do të mund t’i sigurojnë në kohë ekzaminimet e nevojshme dhe të vazhdojnë pushimin mjekësor pa ndërprerje.