Punësimet e fundit në Agjencinë e Kadastrës së Paluajtshmërive po ngrenë reagime për përfaqësimin etnik në këtë institucion. Sipas të dhënave të publikuara lidhur me konkursin 594/2026, nga gjithsej 10 vendime për punësim, 9 janë për kandidatë maqedonas dhe vetëm një për kandidat shqiptar.
Dokumentet e publikuara tregojnë vendimet e punësimit, duke nxitur sërish debat për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Kjo çështje është bërë objekt kritikash edhe nga nënkryetari i BDI-së, Faton Ahmeti, i cili ka reaguar duke theksuar se në Agjencinë e Kadastrës përfaqësimi është 90 për qind maqedonas dhe vetëm 10 për qind shqiptarë

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Paluajtshmërive, Amet Ziberi, ka reaguar ndaj akuzave të nënkryetarit të BDI-së, Faton Ahmeti, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në reagimin e tij, Ziberi thotë se vetëm në dy konkurset e fundit janë pranuar tetë shqiptarë dhe se përfaqësimi brenda institucionit është në përputhje me përqindjen e përfaqësimit etnik.
Ai gjithashtu akuzoi BDI-në për manipulim të opinionit, duke theksuar se një përfaqësim i tillë nuk është arritur asnjëherë gjatë kohës kur kjo parti ishte në pushtet.
Ziberi u bëri thirrje qytetarëve që të bazohen në fakte dhe rezultate konkrete, e jo në deklarata dhe akuza politike.

Ndërkohë, redaksia e portalit tonë Top24 ka siguruar dokumentet zyrtare të vendimeve për punësimet e realizuara në kuadër të konkursit 594/2026, të cilat dëshmojnë emrat dhe përkatësinë e të punësuarve. Dokumentet po publikohen si dëshmi për të dhënat e raportuara dhe për t’i lënë publikut mundësinë që të njihet drejtpërdrejt me vendimet e punësimit.




