Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se dëshiron ta “zgjidhë problemin me Kubën” para përfundimit të mandatit të tij, raportoi DPA.
“Dua ta përfundoj çështjen e Kubës para se të largohem”, i tha Trump moderatorit radiofonik Hugh Hewitt, i cili e pyeti nëse po shqyrton mundësinë e “çlirimit të Kubës” përmes një ndërhyrjeje ushtarake.
“Po e ndjekim situatën nga afër. Vendi ndodhet në një situatë shumë të vështirë. Në thelb, është një shtet i dështuar, një territor i dështuar apo si të doni ta quani”, deklaroi Trump.
Mandati presidencial i Trumpit pritet të përfundojë në janar të vitit 2029.
Gjatë muajve të fundit, qeveria amerikane ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Kubës, duke thelluar ndjeshëm krizën e gjatë ekonomike dhe energjetike në vend, si dhe gjendjen e jashtëzakonshme humanitare në këtë shtet të Karaibeve me 9,4 milionë banorë.
Uashingtoni ka bërë të qartë se pret ndryshime ekonomike dhe politike në Kubë, si dhe distancimin e qeverisë kubaneze nga fuqitë e mëdha botërore, si Kina dhe Rusia, në emër të sigurisë kombëtare të SHBA-së.


