Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se me presidentin zviceran ka biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka theksuar se këto marrëdhënie mbështeten edhe në lidhjen e fortë të mërgatës kosovare me popullin dhe shtetin zviceran.
Kurti ka shprehur mirënjohje për kontributin e Zvicrës, duke veçuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (EFTA), e cila, sipas tij, shënon një kapitull të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Ai ka theksuar se marrëveshja përfshin jo vetëm tregtinë e mallrave, por edhe atë të shërbimeve.


