BDI – ÇAIR: Për të shpëtuar karrierën e tij politike, Muhamet Murtezi mohon historinë e vet dhe i lë në baltë bashkëpunëtorët e tij

BDI – Dega në Çair shpreh shqetësimin për mënyrën se si Muhamet Murtezi, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Izet Mexhitit, po përpiqet të distancohet nga e kaluara e tij organizative, pas lajmeve për vendimin e autoriteteve egjiptiane lidhur me organizata të caktuara, përfshirë një organizatë nga Maqedonia e Veriut.

Në vend që të dalë me një qëndrim të qartë për këtë çështje dhe të mbrojë bashkëpunëtorët me të cilët ka ndarë një rrugëtim prej afro 30 vitesh, Murtezi zgjodhi të mohojë lidhjen e tij me organizatën, duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë kryetar i Forumit Rinor Islam.
Por, sipas biografisë së tij të paraqitur për kandidaturën politike, ai vetë e ka përmendur drejtimin e LRI-së si pjesë të përvojës së tij. Atëherë, cila është e vërteta? A ishte biografia e tij e pasaktë kur kandidonte, apo deklarata e sotme është një përpjekje për të shpëtuar karrierën politike?
Kur të shërben për karrierë, e përmend si pjesë të biografisë; kur bëhet politikisht e papërshtatshme, e mohon dhe i lë në baltë njerëzit me të cilët ke ndarë 30 vjet rrugëtim.
Kjo është sjellje e papërgjegjshme dhe dëshmi e një oportunizmi politik që nuk mund të fshihet me deklarata distancimi. Nuk mund të ndërtosh një histori të përbashkët me njerëzit për dekada dhe, në momentin kur paraqitet një problem, t’i braktisësh për të shpëtuar pozicionin tënd politik.
Historia nuk mund të fshihet sipas nevojave të karrierës politike. E aq më pak mund të shpëtosh veten duke i flakur në baltë bashkëpunëtorët e tu.
BDI – DEGA ÇAIR