Në Kuvend nis debati për propozim-buxhetin për vitin 2027! Shteti planifikon 6,43 miliardë euro të ardhura dhe 7,16 miliardë euro shpenzime

Në Kuvend sot nis shqyrtimi në lexim të dytë i Propozim-buxhetit për vitin 2027, në Komisionin për Financim dhe Buxhet. Për buxhetin janë dorëzuar mbi 300 amendamente, ndërsa debati në komision do të zgjasë 10 ditë, përcjell TV21. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë (6,43 miliardë euro), ndërsa shpenzimet në 440,4 miliardë denarë (7,16 miliardë euro). Deficiti buxhetor parashihet të jetë 45 miliardë denarë (rreth 731,7 milionë euro), ose 3,5 për qind e PBB-së.

Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë (663,4 milionë euro), ndërsa për pagesën e pensioneve 123,8 miliardë denarë (rreth 2,01 miliardë euro). Për transferet sociale janë planifikuar 220,8 miliardë denarë (3,59 miliardë euro).

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se buxheti synon ruajtjen e stabilitetit financiar, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor. Ajo theksoi se për shëndetësinë janë siguruar 3,9 miliardë denarë (rreth 63,4 milionë euro) më shumë krahasuar me këtë vit.

Ndër projektet infrastrukturore që do të vazhdojnë janë korridoret 8 dhe 10-D, autostradat Kërçovë–Ohër, Kërçovë–Bukojçan dhe Shkup–Bllacë, si dhe investimet në hekurudha dhe transportin publik në Shkup.

Përveç financimit të deficitit, shteti në vitin 2027 ka detyrime për shlyerjen e borxhit në vlerë prej 124,6 miliardë denarë (rreth 2,03 miliardë euro), prej të cilave 46,5 miliardë denarë (rreth 756 milionë euro) janë borxh i jashtëm.

Vitin e ardhshëm duhet të shlyhet edhe euroobligacioni prej 500 milionë eurosh, i emetuar në vitin 2023.

Për financimin e deficitit dhe detyrimeve janë planifikuar huamarrje vendore prej 36,3 miliardë denarësh (rreth 590 milionë euro), si dhe 60 miliardë denarë (rreth 976 milionë euro) për letra shtetërore me vlerë njëvjeçare që maturojnë për shlyerje. Ndërsa huamarrja jashtë vendit parashihet të jetë 86,8 miliardë denarë (rreth 1,41 miliardë euro).