Gjumi i pamjaftueshëm, por edhe ai i tepërt, mund të lidhen me përshpejtimin e plakjes biologjike të organizmit, duke prekur disa prej organeve më të rëndësishme, si trurin, zemrën, mushkëritë dhe sistemin imunitar. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Nature”.
Sipas studiuesve, personat që flenë më pak se 6 orë ose më shumë se 8 orë në ditë shfaqin shenja të plakjes më të shpejtë në disa sisteme të organizmit. Ndërkohë, nivelet më të ulëta të plakjes biologjike janë vërejtur te personat që flenë rreth 6.4 deri në 7.8 orë në ditë.
Studimi u drejtua nga Junhao Ëen, profesor asistent i radiologjisë në Kolegjin Vagelos të Mjekëve dhe Kirurgëve në Universitetin Columbia. Për realizimin e tij, ekipi kërkimor analizoi të dhënat shëndetësore të afro 500 mijë pjesëmarrësve në bazën e të dhënave UK Biobank.
Përmes metodave të inteligjencës artificiale dhe të mësimit automatik, studiuesit krijuan të ashtuquajturat “orë biologjike”, të cilat vlerësojnë moshën biologjike të organizmit përmes analizave të gjakut, imazherisë mjekësore dhe treguesve të tjerë molekularë.
Ndryshe nga mosha kronologjike, që tregon vitet e jetuara, mosha biologjike pasqyron gjendjen dhe shkallën e plakjes së trupit në nivel qelizor dhe të organeve. Kjo do të thotë se dy persona me të njëjtën moshë mund të kenë një gjendje biologjike krejt të ndryshme.


