Lufta në Ukrainë mund të përfundojë këtë dimër, deklaroi ministri i Financave i Lituanisë, Taurimas Valis, duke përmendur humbjet e rënda ruse në front, fitimet e kufizuara territoriale të Moskës dhe presionin nga presidenti amerikan, Donald Tramp, si arsye për optimizëm.
“Shpresoj që lufta në Ukrainë të përfundojë këtë dimër. Kam një ndjesi se do të përfundojë”, deklaroi Valis në një intervistë të botuar sot në gazetën “Reporter” me qendër në Bruksel.
Si një nga treguesit se Rusia vështirë se mund ta vazhdojë luftën me intensitetin aktual, Valis përmendi vlerësimet e NATO-s për humbjet ruse prej rreth 40 mijë ushtarësh në muaj. Sipas vlerësimit të tij, muajin e kaluar numri i ushtarëve rusë të vrarë në frontet në Ukrainë u rrit në 52 mijë.
Ai shton se zyrtarët ukrainas i thanë se Rusia, gjatë vitit të kaluar, me humbjen e rreth gjysmë milioni ushtarësh, arriti të pushtojë “vetëm gjysmën e një fshati”.
Sipas Valis, i cili është ish-zëvendësministër i Jashtëm i Lituanisë, edhe për Rusinë, autoritetet e së cilës, siç vlerësoi ai, nuk i kushtojnë shumë rëndësi jetëve njerëzore, humbje të tilla janë shumë të mëdha.
Vallis gjithashtu theksoi mundësinë që lufta të përfundojë deri më 24 shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të mbushen pesë vjet që nga fillimi i pushtimit rus. Si një arsye shtesë për një vlerësim të tillë, ai përmendi tendencën e Rusisë për t’i kushtuar rëndësi përvjetorëve.


