13 për qind e të punësuarve nuk e kanë marrë pagën brenda afatit ligjor, tregojnë të dhënat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), shkruan gazeta KOHA.
Detyrimi ligjor për pagesën e pagave është deri më datën 15 të muajit aktual, për punën e kryer gjatë muajit paraprak. Megjithatë, ky detyrim nuk është përmbushur për 13 për qind të të punësuarve, tregojnë të dhënat e publikuara nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
“Detyrim për pagesën e pagës bruto për muajin shtator 2026 kishin 74.782 punëdhënës për gjithsej 553.040 të punësuar. Prej tyre, 66.11 për qind e punëdhënësve, përkatësisht 49.439, kanë paguar pagën bruto për 481.003 të punësuar. Kjo do të thotë se për 86.97 për qind të të punësuarve janë paguar kontributet sociale brenda afatit ligjor, deri më 15 tetor”, njoftoi DAP.
Sa u përket detyrimeve për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), 98.5 për qind e tatimpaguesve të regjistruar me detyrim mujor dhe 97 për qind e atyre me detyrim tremujor i kanë dorëzuar në kohë deklaratat tatimore për periudhën përkatëse, brenda afatit ligjor deri më 25 tetor, përkatësisht 26 tetor, pasi data 25 ishte ditë e diel.
Borxh tatimor për TVSH-në mujore dhe tremujore kanë deklaruar gjithsej 21.061 tatimpagues, me një detyrim të përgjithshëm prej 5.578 miliardë denarësh.
“Për tatimpaguesit që nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore brenda afatit ligjor, Drejtoria e të Ardhurave Publike vepron rregullisht në përputhje me kompetencat e përcaktuara me ligj, duke ndërmarrë masa për shqiptimin e gjobave për mosdorëzimin e deklaratave tatimore dhe për arkëtimin e detyrueshëm të borxheve të papaguara”, theksojnë nga DAP.
Nga ky institucion sqarojnë se, me qëllim promovimin e një kulture të marrëdhënieve pozitive me tatimpaguesit, fillimisht u dërgohen njoftime të personalizuara të gjithë atyre që kanë vonuar pagesat, për t’ua rikujtuar mundësinë e shlyerjes vullnetare të detyrimeve tatimore të maturuara.
Më pas, në përputhje me ligjin, dërgohen paralajmërime zyrtare dhe ndërmerren masa për arkëtimin e detyrueshëm të borxhit përmes mjeteve financiare në llogaritë bankare, përfshirë edhe bllokimin e llogarive bankare.


