Nga Ruzhdi Matoshi
Në korrik të vitit 2025, nga qarqe të Komisionit Evropian për politikë të jashtme dhe zgjerim u ngrit alarmi për rrezikun që Maqedonia e Veriut të rrëshqasë drejt ndikimit të të ashtuquajturës Botë Serbe (Srpski Svet).
Gjatë vitit 2025, investimet serbe në Maqedoninë e Veriut tejkaluan 33 milionë euro, duke përfshirë edhe sektorin bankar, siç është rasti i Alta Bankës. Këto zhvillime ngrenë shqetësime për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Serbisë në vend.
LSDM dhe BDI, gjatë tetë viteve të qeverisjes, udhëhoqën procese të rëndësishme: anëtarësimin në NATO, avancimin e integrimit evropian përmes propozimit franko-gjerman dhe konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike, me synimin për një shtet të barabartë për të gjithë.
Sot, Maqedonia e Veriut përballet me pasiguri politike dhe ekonomike. Vetë kryeministri Mickoski deklaron se zgjedhjet e parakohshme mund ta çojnë vendin drejt falimentimit.
Mickoski e mori Qeverinë me një borxh publik prej rreth 8.5 miliardë eurosh, ndërsa sot ai ka tejkaluar 11 miliardë euro.
Pyetja është e pashmangshme: si është e mundur që, në vend të zhvillimit dhe stabilitetit, vendi po përballet me borxh gjithnjë e më të madh dhe me shqetësime për orientimin e tij strategjik?
Maqedonia e Veriut nuk duhet të largohet nga rruga evropiane dhe euroatlantike, as të bëhet pjesë e ndikimeve dhe varësive që cenojnë të ardhmen e saj.


