Skandali i spiunazhit – Nvidia humb 430 miliardë dollarë nga vlera e saj

Kriza që ka përfshirë kompaninë e dytë më të vlerësuar në botë “Nvidia” po thellohet, pasi rreth 430 miliardë dollarë janë fshirë nga vlera e saj në treg që kur janë ngritur dyshime se mund të jetë përfshirë në një skandal spiunazhi.

Gjatë natës të së martës Nvidia ka njoftuar se ka angazhuar një ish-prokuror të lartë federal për të ndihmuar në hetimin e marrëdhënies së drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, me një grua të dyshuar si spiune kineze.

Bordi drejtues i kompanisë ka angazhuar Joon H. Kim, ish-prokurorin në detyrë të Distriktit Jugor të New Yorkut, si dhe studion e tij ligjore Wachtell, Lipton, Rosen & Katz, për të zhvilluar një “hetim të plotë dhe të pavarur”.

Wachtell është një nga studiot më të njohura ligjore në fushën e korporatave. Në vitin 2022, Tëitter e ka angazhuar atë për ta detyruar Elon Muskun që të përfundonte blerjen e kompanisë për 44 miliardë dollarë.

Studioja ka përvojë në këshillimin e kompanive të mëdha për çështje si bashkimet dhe qeverisja korporative.

Tashmë, ajo do të hetojë rrethanat e marrëdhënies së Huangut, që dyshohet se ka qenë me Alice Huang, drejtoreshën e kompanisë Megaspeed, një prej klientëve të Nvidias, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se është spiune kineze.