Senatori i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Abdul El-Sayed, i ka bërë thirrje sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të japë dorëheqjen nga posti i tij, pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku me 211 vota kundër 204 u vendos që një rezolutë për shkarkimin e tij të dërgohej në komision, duke penguar përparimin e nismës.
“Pse vazhdoni ende ta bëni këtë punë? Jeni vërtet i dobët në këtë detyrë. Po dështoni në përmbushjen e përgjegjësive tuaja. E keni menaxhuar keq këtë luftë”, deklaroi El-Sayed gjatë një interviste për televizionin CNN, duke iu drejtuar drejtpërdrejt shefit të Pentagonit.
“Prandaj, thjesht jepni dorëheqjen. Bëjani më të lehtë të gjithëve, në vend që në fund të shkarkoheni me forcë, sepse kjo është pikërisht ajo që po ndodh”, shtoi ai.
Kritika ndaj luftës
Demokrati nga Miçigani kritikoi 11 ligjvënësit demokratë që nuk morën pjesë në votimin e së martës, duke deklaruar: “Duhet të paraqiteni dhe ta bëni punën tuaj”.
El-Sayed e lidhi drejtpërdrejt zgjatjen e konfliktit me Iranin me vështirësitë ekonomike me të cilat po përballen familjet e zakonshme amerikane. Ai theksoi se votuesit në të gjithë shtetin e tij kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi për inflacionin dhe faturat e energjisë.
Duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive kundër Iranit, El-Sayed e cilësoi fushatën ushtarake si “të paligjshme, imorale dhe joetike”.
Ai theksoi se, ndonëse synon të vlerësojë çdo procedurë të ardhshme për shkarkimin e Hegsethit mbi bazën e meritave të saj, “është më se e qartë se Pete Hegseth po dështon në përmbushjen e përgjegjësive të tij si sekretar i Mbrojtjes”.


