Faton Ahmeti: Vetëm 7.43% shqiptarë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë – kjo është barazia e tyre!

Nënkryetari i BDI-së, Faton Ahmeti, ka reaguar për përfaqësimin e shqiptarëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke ngritur shqetësimin për numrin e ulët të shqiptarëve në këtë institucion.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ahmeti, nga gjithsej 175 të punësuar në këtë institucion, 162 janë maqedonas (92.57%), ndërsa vetëm 13 janë shqiptarë (7.43%).

Ai ka bërë të ditur se edhe në procesin e punësimeve dhe avancimeve, dallimi është i theksuar. Nga 158 punësime, 146 janë maqedonas dhe vetëm 12 shqiptarë, ndërsa në avancime, nga 17 raste, 16 janë maqedonas dhe vetëm një shqiptar.

Duke komentuar këto shifra, Ahmeti ka kritikuar përfaqësimin e shqiptarëve dhe ka ironizuar me premtimet për barazi.

„Kjo është barazia e tyre! ‘Rrini rahat’, na thanë!”, ka shkruar Ahmeti në reagimin e tij.