Ditën Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim – 10 Nëntorin, këtë vit e shënojmë me rezultate të dukshme në veprimtarinë kërkimore-shkencore. Këtë e konstaton edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vendit për vitin 2026, duke vlerësuar se është shënuar përparim i mirë në realizimin e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë për Specializim Intelegjent, përmes themelimit dhe vënies në funksion të Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi – INOVA, si dhe vazhdimit të pjesëmarrjes në programet evropiane për shkencë dhe inovacion.
Rezultatet dëshmojnë përkushtimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për nxitjen e kërkimeve shkencore dhe inovacionit.
Kemi qëllim të qartë: të forcojmë kapacitetet për veprimtari kërkimore-shkencore dhe të rrisim ndikimin e rezultateve kërkimore-shkencore në shoqëri dhe ekonomi. Këtë e mbështesim përmes rritjes së vazhdueshme të buxhetit për shkencën, me qëllim që të sigurojmë se komuniteti shkencor ka në dispozicion burimet dhe mbështetjen e nevojshme.
Buxheti i këtij viti arrin vlerë rekord prej 773 milionë denarë, që paraqet rritje krahasuar me 680 milionë denarët e vitit të kaluar dhe më shumë se dyfishim në raport me 380 milionë denarët e ndarë para dy vitesh. Edhe rezultatet janë konkrete. Vitin e kaluar mbështetëm rreth 50 projekte shkencore dyvjeçare, të cilat tani janë në fazën përfundimtare të realizimit.
Kemi ndërmarrë aktivitete konkrete që kanë të bëjnë me nevojën për rritjen e prodhimtarisë shkencore. Kemi siguruar qasje falas në bazat kryesore globale të të dhënave shkencore, „Web of Science“ dhe „Scopus“, për shkencëtarët dhe profesorët akademikë. Mbulohen shpenzimet për publikimin e punimeve shkencore në revista me faktor ndikimi, për organizimin e konferencave shkencore vendore dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare shkencore, si dhe shpenzimet për botimin e përmbledhjeve të punimeve shkencore.
Investojmë në mënyrë sistematike në shkencë dhe eliminojmë barrierat, në mënyrë që punonjësit tanë shkencorë të mund të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë në nivel global, ndërsa rezultatet e tyre të sjellin vlerë të mirëfilltë në vendin tonë.
Prioriteti ynë strategjik mbetet zhvillimi i përshpejtuar i shkencës dhe pozicionimi më i mirë i universiteteve të Maqedonisë në listat globale të renditjes.


