Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkon nga prokurori publik, Savëski, të nisë hetim për të gjitha aspektet e hyrjes së Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kapitalin, vendimet institucionale dhe personat që kanë miratuar këtë proces.
Nga LSDM-ja thonë se hetimi duhet të përfshijë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin Trajko Sllaveski, si dhe të sqarojë se kush ka marrë vendimet dhe mbi çfarë baze. Partia kërkon gjithashtu të hetohet se çfarë është diskutuar dhe dakorduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me Macurën.
“Prokurori nuk duhet të presë telefonatë. As urdhër nga foltorja e Kuvendit apo nga televizioni. Pikërisht kjo sjellje e gërryen pavarësinë e gjyqësorit dhe e rrënon plotësisht besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare kërkon që menjëherë të sigurohen dhe të hetohen llogaritë, transaksionet dhe i gjithë dokumentacioni i Alta Bankës. Ajo kërkon që Prokuroria dhe policia ta informojnë publikun për gjetjet e tyre.
Sipas LSDM-së, këto veprime duhet të ndërmerren para çdo marrjeje apo transferimi të mundshëm të pronësisë së bankës. Partia paralajmëron se shitja për të cilën, sipas saj, po negocion Mickoski, nuk duhet të shërbejë si mbulesë për fshehjen e rastit dhe shmangien e përgjegjësisë.
“Savëski, hapni hetim për Mickoskin, Sllaveskin dhe të gjithë të përfshirët në sjelljen e Alta Bankës, siguroni provat, hetoni transaksionet dhe thirrni personat e përfshirë”, kërkon LSDM-ja.
Në fund të reagimit, partia thekson se prokurorët kanë dhënë betimin para qytetarëve dhe jo para pushtetit, duke kërkuar që rasti të hetohet dhe përgjegjësia të përcaktohet.


