LDP: Mbi 10 mijë nënshkrime për dy ditë, institucionet ende pa përgjigje për përcjelljen e dhunuesve

Më shumë se 10.000 qytetare dhe qytetarë e kanë nënshkruar brenda 48 orëve peticionin për vendosjen e byzylykëve elektronikë për kryerësit e dhunës në familje, njoftoi Partia Liberal-Demokrate. Nga LDP kërkojnë që Kuvendi dhe Qeveria të veprojnë urgjentisht dhe të mundësojnë miratimin e zgjidhjes ligjore.

Kryetarja e LDP-së dhe deputetja Monika Zajkova tha se mbështetja për peticionin është thirrje për institucionet që ta vënë sigurinë e viktimave para interesave partiake.

“Ky peticion nuk është vetëm një shifër, por ultimatum popullor për Kuvendin dhe Qeverinë që menjëherë t’i ndalin kalkulimet partiake dhe pa vonesë ta votojmë zgjidhjen ligjore për përcjelljen elektronike të dhunuesve”, deklaroi Zajkova.

Ajo kujtoi se propozim-ligji i saj u refuzua në mars për herë të dytë, ndërsa në ndërkohë, siç tha, ka ndodhur një tragjedi e re dhe një viktimë e re.

Nga partia i hedhin poshtë arsyetimet se nevojiten analiza shtesë dhe përpunim i mëtejshëm i zgjidhjes. Pohojnë se infrastruktura teknike dhe pajisjet në sistemin e probacionit tashmë ekzistojnë, por se mungon vullneti politik që ato të përdoren për mbrojtjen nga dhuna në familje.

LDP i falënderoi nënshkruesit dhe paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë vendosjen e përcjelljes elektronike. Nga partia porosisin se institucionet duhet të reagojnë me kohë ndaj rreziqeve dhe të sigurojnë mbrojtje më efikase për viktimat.