Skandali në gjigantin Nvidia: Nisin hetimet për lidhjen e CEO-s me një grua të dyshuar si spiune kineze

Gjiganti amerikan i teknologjisë Nvidia ka nisur një hetim të pavarur lidhur me raportimet se drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, kishte pasur një lidhje me një biznesmene kineze, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se ishte spiune e Pekinit.

Bordi drejtues i kompanisë bëri të ditur se hetimi do të shqyrtojë nëse Huang ishte shënjestruar nga një operacion i inteligjencës së huaj dhe nëse përmes kësaj lidhjeje mund të jenë komprometuar informacione të ndjeshme të kompanisë apo të sigurisë kombëtare amerikane.

Sipas raportimeve të The New York Times, gruaja në fjalë, Alice Huang, ish-drejtuese në kompaninë Megaspeed me seli në Singapor, dyshohet se kishte bashkëpunuar me shërbimet kineze të inteligjencës.

Megaspeed është një kompani që blen çipa të inteligjencës artificiale nga Nvidia dhe ka qenë nën vëzhgimin e autoriteteve amerikane për dyshimet se mund të ketë ndihmuar Kinën të siguronte teknologji të avancuar, eksporti i së cilës ishte i kufizuar.

Ndërkohë, Jensen Huang ka pranuar publikisht se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje për lëndimin që u ka shkaktuar familjarëve.

“Kam qenë i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq”, ka shkruar ai në një mesazh drejtuar punonjësve të kompanisë.

Huang ka deklaruar se merr përgjegjësinë e plotë për veprimet e tij dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin e nisur nga bordi i Nvidia-s.

Nga ana tjetër, kompania ka theksuar se aktualisht nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj apo siguria kombëtare e SHBA-së janë komprometuar. Ajo ka konfirmuar gjithashtu se Huang do të vazhdojë të drejtojë kompaninë pa ndërprerje.

Çështja ka ngritur shqetësime edhe në Kongresin amerikan, ku përfaqësues republikanë kanë kërkuar që drejtori i Nvidia-s të japë shpjegime lidhur me raportimet dhe masat e sigurisë së kompanisë ndaj ndërhyrjeve të mundshme të inteligjencës së huaj.