Diplomaci në heshtje, tensione në kulm: SHBA dhe Irani kërkojnë marrëveshje

Shtetet e Bashkuara dhe Irani po zhvillojnë kontakte diplomatike në mënyrë diskrete, në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Negociatat po zhvillohen përmes ndërmjetësimit të vendeve të treta, ndërsa situata në terren mbetet e brishtë dhe rreziku i një përplasjeje të re ushtarake nuk është përjashtuar.

Në qendër të diskutimeve janë programi bërthamor i Iranit, sanksionet amerikane dhe kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Sipas CNN, Katari dhe Pakistani po luajnë një rol ndërmjetësues në përpjekjet për afrimin e qëndrimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Përpjekjet diplomatike synojnë të krijojnë kushtet për rifillimin e negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të parandalonte zgjerimin e konfliktit.

Një nga kërkesat kryesore të Iranit lidhet me heqjen e bllokadës detare amerikane, lirimin e aseteve të ngrira dhe marrjen e garancive për përfundimin e konfliktit.

Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon kufizime mbi programin bërthamor iranian dhe masa që do të garantonin sigurinë në rajon.

Megjithatë, përpjekjet diplomatike po zhvillohen në një klimë të tensionuar. SHBA-ja ka kryer sulme ndaj sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore në ishullin Qeshm, ndërsa presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se janë identifikuar edhe objektiva të tjera të mundshme në territorin iranian.

Teherani, nga ana e tij, ka paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi të ri amerikan, duke theksuar se është i përgatitur për çdo skenar, pavarësisht gatishmërisë për të vijuar rrugën diplomatike.

Në këtë kuadër, presidenti amerikan Donald Trump pritet të diskutojë zhvillimet në rajon edhe me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Pavarësisht kontakteve mes palëve, një marrëveshje nuk duket ende pranë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pranuar se negociatat nuk kanë shënuar përparim të konsiderueshëm, duke lënë të hapur pikëpyetjen nëse diplomacia do të arrijë të shmangë një tjetër përshkallëzim në Lindjen e Mesme.