Protestë gjithëkombëtare për Arlinda Zekajn, kërkohet shkarkimi i ministrave

Sot në Prishtinë do të mbahet protestë gjithëkombëtare me kërkesën për drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra në Pejë.

Protesta do të nisë në orën 12:00, nga katedralja “Nënë Tereza”, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente kundër vrasjes së grave.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se vrasja e Zekajt ka nxjerrë në pah dështimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.

Sipas Kolektivit, rasti ka krijuar një krizë të thellë të besimit në institucionet shtetërore, ndërsa kërkohet që femicidi të shpallet urgjencë kombëtare.

“Vrasja e saj si dhe reagimi shtetëror e ka vendosur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, të cilën mund ta kalojmë vetëm me përgjegjësi shtetërore dhe garantim që jeta e grave merret seriozisht”, thuhet në thirrjen e Kolektivit, shkruan Kosovapress.

Organizatorët kërkojnë shkarkimin e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ata kërkojnë gjithashtu shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të prokurorisë, gjykatës, policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, të cilët i konsiderojnë përgjegjës për mosveprimet e pretenduara në rastin e Zekajt.

Në mesin e kërkesave janë edhe trajtimi i vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur dhe apartiak në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për krimin dyshohet ish-kunati i saj.

Para vrasjes, ajo u ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë me kërkesa për mbrojtje, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Pas rastit, janë suspenduar disa zyrtarë policorë, ndërsa organizatorët e protestës kërkojnë që përgjegjësia të shtrihet edhe te drejtuesit e institucioneve.

Protesta e sotme është vazhdimësi e mobilizimeve qytetare që pasuan vrasjen e Zekajt, me kërkesën që institucionet të garantojnë mbrojtje efektive për gratë dhe vajzat në Kosovë.