NPK Tetovë pajis të gjitha çerdhet dhe shkollat me kanta për selektimin e mbeturinave

Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetovë ka realizuar furnizimin e të gjitha çerdheve, shkollave fillore dhe shkollave të mesme në qytetin e Tetovës me kanta të dedikuara për selektimin e mbeturinave.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi të NPK Tetovë, ku theksohet rëndësia e këtij aktiviteti në drejtim të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe krijimit të shprehive të mira për ndarjen e mbeturinave që në moshë të hershme.

Me këtë iniciativë synohet që institucionet arsimore të kontribuojnë në një mjedis më të pastër dhe në promovimin e riciklimit, duke përfshirë drejtpërdrejt nxënësit dhe stafin arsimor në procesin e selektimit të mbeturinave.

NPK Tetovë vazhdon angazhimin për një qytet më të pastër dhe një vetëdije më të lartë ekologjike.