Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e funksionimit të platformës digjitale “Fol me Kryeministrin”, një hapësirë e re që synon të mundësojë komunikimin e drejtpërdrejtë mes tij, studentëve dhe qytetarëve të interesuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se platforma është tashmë aktive dhe do të jetë e aksesueshme në çdo moment të ditës, duke u ofruar përdoruesve mundësinë për të ndarë mendime, shqetësime dhe sugjerime.
Sipas Ramës, kjo nismë synon të shfrytëzojë mundësitë që ofron teknologjia për të nxitur një komunikim më të hapur dhe shkëmbim idesh mes qytetarëve dhe qeverisë
Prezantimi i platformës vjen pas protestave dhe tensioneve të fundit me studentët, në një periudhë kur dialogu mes tyre dhe institucioneve është rikthyer në vëmendje.
Kryeministri u ka bërë thirrje studentëve, por edhe qytetarëve të tjerë, që ta përdorin këtë kanal të ri për të shprehur pikëpamjet dhe për të ngritur çështjet që i shqetësojnë.


